Leje Qëndrimi në Shqipëri
Procedurat dhe dokumentacioni për leje qëndrimi dhe leje unike në Shqipëri
Jeni një shtetas i huaj dhe po planifikoni të qëndroni për një periudhë të gjatë në Shqipëri, atëhere patjetër është e nevojshme që ju të pajiseni me një leje qëndrimi ose leje unike (Residence Permit). Kjo leje ju garanton të drejtën ligjore për të qëndruar në Shqipëri dhe gjithashtu nëse aplikohet, edhe për të punuar.
Kush mund të aplikojë për leje qëndrimi?
Leja e qëndrimit kërkohet për shtetasit e huaj që vijnë në Shqipëri për arsye të ndryshme si:
- Punësimin: Qëndrim për të punuar në Shqipëri në bazë të një kontrate pune.
- Bashkim familjar: Shtetasit që kanë të afërm të ngushtë (bashkëshort, fëmijë, prind) me shtetësi shqiptare.
- Studimi: Studentët e huaj që duan të arsimohen në institucionet shqiptare.
- Investimet ose biznesi: Investitorët ose sipërmarrësit që zhvillojnë veprimtari ekonomike në Shqipëri.
- Qëllime humanitare: Për individët që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare ose të drejtën e azilit.
Dokumentacioni i nevojshëm
Për të aplikuar për leje qëndrimi ose leje unike, janë të nevojshme dokumentet e mëposhtme:
- Formulari i aplikimit i plotësuar sipas kërkesave specifike.
- Pasaporta me të paktën 6 muaj vlefshmëri.
- Dy foto pasaporte sipas standarteve.
- Kontrata e punës (nëse po aplikoni për punësim).
- Dëshmia e gjendjes penale nga vendi i origjinës.
- Sigurimi shëndetësor për të mbuluar shpenzimet mjekësore gjatë qëndrimit në Shqipëri.
- Dëshmi të burimeve financiare (ekstrakt llogarie bankare).
- Dëshmia e akomodimit (kontrata e qirasë ose një deklaratë nga pronari i banesës).
Hapat kryesorë të procesit
- Aplikimi fillestar: Kryhet online përmes platformave të dedikuara ose drejtpërdrejt në zyrat e Drejtorisë së Përgjithshme të Migracionit dhe Kufirit.
- Shqyrtimi i dokumenteve: Autoritetet shqyrtojnë të gjithë dokumentacionin e paraqitur për përputhje me kërkesat ligjore.
- Vendimi përfundimtar: Pasi të verifikohen dokumentet, vendimi për pajisjen me leje qëndrimi zakonisht merret brenda 30-60 ditësh.
Afati dhe rinovimi i lejes
Leja qëndrimi jepet për një periudhë 1 vjeçare me mundësi rinovimi. Për t’u siguruar që leja juaj nuk skadon, aplikimi për rinovim duhet bërë të paktën 30 ditë para përfundimit të vlefshmërisë. Pas disa rinovimesh të njëpasnjëshme, aplikanti mund të kërkojë një leje qëndrimi të përhershme.
Kushtet për refuzim
Lejet e qëndrimit mund të refuzohen nëse aplikanti nuk plotëson kriteret e vendosura ligjore. Në raste të tilla, aplikantët mund të apelojnë vendimin për refuzim.